Telegrafi

Daçiq ka një porosi për ‘kërcënimet’ nga Zagrebi

Pas vendimit të Qeverisë së Serbisë për të shpallur person të padëshiruar ministrin kroat të Mbrojtjes, është deklaruar për media edhe shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq.

Ai ka thënë se nëse Kroacia tërheq ambasadorin e saj nga Beogradi, Serbia do të ndërmarrë masa reciproke duke tërhequr ambasadorin nga Zagrebi.

Deklarata e tij vjen në valën më të re të tensioneve ndërmjet dy shteteve, pasi kryeradikali serb Vojisllav Sheshel përdhosi flamurin kroat dhe shau delegacionin e Kroacisë në Beograd.

Sot më herët mediat kroate raportuan se Zagrebi do të tërheqë ambasadorin e saj në Serbi, duke iu referuar burimeve nga qeveria nëse Serbia e shpall person të padëshiruar ministrin e Mbrojtjes Damir Krstiçeviq.

Ndërkohë që qeveria serbe ka marrë vendim për një gjë të tillë, Daçiq tha se marrëdhëniet e dy vendeve janë esenciale për stabilitetin e rajonit. /kp/Telegrafi/