Në xhiron e 17-të të Art Motion Superligës së Kosovës në basketboll gjatë fundjavës u zhvilluan dy ndeshje, kurse në dy tjera do të barten rezultatet nga Liga Unike
Sfida kryesore ishte mes Bashkimit dhe Sigal Prishtinës, që u fitua nga prishtinasit 62-81. Basketbollisti i ndeshjes ishte organizatori i kryeqytetasve Dachon Burke.
Amerikani kishte statistika prej 18 pikëve, gjashtë kërcimeve, dy asistime, pesë topave të vjedhur dhe dy bllokada. Burke ishte lojtari i ndeshjes dhe i xhiros së 17-të, që ishte hera e parë për të, që shpallet MVP i xhiros.
Ai u ndihmua nga Jetmir Zeqiri me 19 pikë e shtatë kërcime, kurse te Bashkimi, basketbollisti më i mirë ishte Alban Veseli me 19 pikë e dhjetë kërcime.
Ndërkohë, në fitoren e Trepçës ndaj Dritës me shifrat 57-117, u dalluan Corban Collins me 14 pikë, dhjetë kërcime e shtatë asistime, Drilon Hajrizi me 16 pikë e dhjetë asistime dhe Andrew Gordon me 13 pikë e 11 kërcime.