Telegrafi

Cutrone i shpëton suspendimit, goli me dorë nuk ishte i qëllimshëm (Video)

(Foto: Getty Images)

Sulmuesi i Milanit, Patrick Cutrone, nuk do të suspendohet për golin e shënuar me dorë kundër Lazios, pasi sipas Lega Serie A, veprimi i tij nuk ishte i qëllimshëm.

20-vjeçari e shënoi golin e parë në takimin kundër Biancocelestëve, të cilin Rossonerët e fituan me rezultat 2-1.

Mirëpo, më pas xhirimet treguan se ai e kishte shfrytëzuar dorën për ta realizuar golin. Ndërkohë, gjyqtarët vendosën të mos e konsultonin VAR-in dhe e pranuan golin si të rregullt.

Nëse do të ishte shpallur fajtor, talenti italian do të suspendohej me dy ndeshje moslojë për sjellje josportive.

Lexo po ashtu Cutrone rrezikon dënim prej dy ndeshjeve mos-lojë pas golit të shënuar me dorë

Sidoqoftë, Lega Serie A ka lëshuar një komunikatë për media, ku thuhet se janë analizuar imazhet televizive për t’u shqyrtuar se a ishte i vullnetshëm veprimi i lojtarit.

(Foto: Getty Images)

Mirëpo, është vendosur se veprimi i Cutrones ishte i paqëllimshëm kur kihet parasysh shpejtësia e lëvizjes së topit.

“Ishte një përpjekje për ta goditur topin me kokë që u shoqërua me një lëvizje të paqëllimshme të dorës në momentin e goditjes së topit”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Për këtë arsye është vendosur që të mos merren veprime të tjera disiplinore kundër lojtarit. /Telegrafi/