Telegrafi

Cruise është aktori i parë që bën hedhje me parashutë për nevojat e filmit – disa prej skenave të rrezikshme të realizuara nga ai

Paramount Pictures ka publikuar një pjesë nga prapaskenat e xhirimeve të “Mission Impossible – Fallout”.

Në fakt është publikuar skena, në të cilën Tom Cruise bën një hedhje nga aeroplani. Në xhirim tregohen përgatitjet intensive që janë bërë për hedhjen e rrezikshme që është realizuar në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Cruise, i cili i bën zakonisht vet të gjitha skenat e rrezikshme, besohet se është aktori i parë që bën një hedhje ‘HALO’ për nevojat e një filmi. Për realizimin e kësaj hedhjeje me parashutë shfrytëzohet teknika ushtarake ‘HALO’, lartësi e madhe – hapje e ulët (“high altitude, low open”).

Aktori është hedhur nga një lartësi prej 7.620 metrash duke mbajtur një maskë për oksigjen, në mënyrë që të ruajë vetëdijen.

Për t’u përgatitur për këtë skenë, studioja ka ndërtuar një tunel të madh të erës për t’i bërë provat. Skena është xhiruar nga një kameraman që mbante kamerën të fiksuar në kokë, ndërsa është hedhur pakëz më herët se Cruise për të shmangur përplasjen eventuale në ajër.

Për t’i vështirësuar gjërat, xhirimi është realizuar në periudhën e perëndimit të diellit, me ç’rast ekipi ka pasur vetëm tri minuta kohë për të realizuar gjithçka.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet për Tom Cruise

Ndërsa në filmin e gjashtë me radhë të “Mission Impossible”, kjo skenë zgjat vetëm disa sekonda.

Derisa këtë skenë protagonisti kryesor e realizoi me shumë sukses, njësoj nuk ka ndodhur në xhirimin e një skene gjatë hedhjes nga një ndërtesë në tjetrën, kur 55-vjeçari pësoi një frakturë në nyje.

Gjatë xhirimit të filmave të mëparshëm të “Mission Impossible”, Cruise ka bërë një sërë skenash të rrezikshme.

Në “Mission: Impossible 2”, ai u ngjit në Dead Horse Point për pjesën hyrëse të filmit.

Në “Ghost Protocol”, u lëshua në Burj Khalifa në Dubai, ndërtesën më të lartë në botë.

Derisa në “Mission: Impossible Rogue Nation”, Cruise u ngjit anash një aeroplani transportues ushtarak, Airbus A400M Atlas, në momentin e ngritjes. Xhirimi ishte realizuar në Angli. /Telegrafi/