Cristiano Ronaldo ka zbuluar se martesa me partneren e tij, Georgina Rodriguez, do të ndodhë vetëm kur të ndiejnë “atë klik”, një moment kur gjithçka në jetën e tyre të jetë në harmoni.
Futbollisti 40-vjeçar dhe modelja spanjolle 31-vjeçare janë në një lidhje që nga viti 2016 dhe kanë dy vajza së bashku, ndërsa Georgina është gjithashtu njerka e tre fëmijëve të tij të tjerë.
Në reality show-n e saj në Netflix, “I Am Georgina”, Rodriguez pranoi se miqtë shpesh e pyesin se kur do të martohet me Ronaldon, shkruan DailyMail.
“Ata gjithmonë bëjnë shaka për dasmën dhe më këndojnë këngën e Jennifer Lopez ‘The Ring’,” tha ajo me humor, duke lënë të kuptohet se vendimi nuk është në dorën e saj.
Nga ana tjetër, Ronaldo theksoi se martesa do të ndodhë në kohën e duhur, duke shtuar: “Mund të jetë në një vit, mund të jetë në gjashtë muaj ose edhe në një muaj. Jam 1000% i sigurt se do të ndodhë”.
Pavarësisht se nuk kanë bërë një martesë zyrtare, ylli portugez i futbollit ka referuar Georginën si “gruaja ime” në disa raste publike.
Gjatë Globe Soccer Awards 2024, ai tha: “Është kënaqësi të jem këtu me djalin tim të madh dhe me gruan time”.
Gjithashtu, në një video në kanalin e tij në YouTube, çifti u shfaq me unaza, duke nxitur më tej spekulimet mbi një martesë të mundshme.
Në një intervistë tjetër, Ronaldo tha se çdo mëngjes e nis ditën duke biseduar me “fëmijët dhe gruan time”.
Pavarësisht këtyre deklaratave, çifti nuk ka dhënë një konfirmim zyrtar për martesën, duke lënë të hapur mundësinë që momenti i shumëpritur të vijë kur ata ta ndiejnë vërtet si të duhurin. /Telegrafi/