Telegrafi

Cristiano Ronaldo pretendon se Liga Saudite është më e mirë se Ligue 1, për një arsye të veçantë

Cristiano Ronaldo ka thënë se Liga Saudite është më e mirë se Ligue 1 për shkak të një arsyeje të veçantë.

Ronaldo momentalisht gjendet në Dubai për edicionin e 14-të të Globe Soccer Awards – së bashku me yjet e tjerë si Erling Haaland i Manchester Cityt.

Ylli portugez ka fituar çmimin si ‘Lojtari më i mirë në Lindjen e Mesme’ pasi shifrat e tij me Al-Nassr janë mjaft të larta, sidomos duke marrë parasysh moshën e tij.

38-vjeçari madje e quajti veten si golashënuesi më i mirë në sy të fenomenit norvegjez, i cili pati një reagim interesant kur portugezi tha këto fjalë.

Lexo po ashtu Reagimi i Haalandit pasi Ronaldo e quajti veten golashënuesi më i mirë është bërë viral në internet

Ish-ylli i Real Madridit shkoi aq larg sa që tha se Liga Saudite është më e mirë se sa ajo e Francës (Ligue 1).

“A e dëshironi opinionin tim? Unë nuk mendoj se Liga Saudite është më e dobët se sa Ligue 1”, ka thënë fillimisht Ronaldo.

Lojtari i cili ka luajtur në shtete të ndryshme si Angli, Spanjë, Itali dhe Portugali, beson se Liga Saudite është më kompetitive se sa Ligue 1.

“Në Arabinë Saudite e shoh më konkurrese, ata mund të thonë çfarë të donë, ky është opinioni im, unë luaj këtu dhe e di se çfarë po them. Unë mendoj se jemi më të mirë se sa Ligue 1”, përfundoi Ronaldo./Telegrafi/