Juventusi është shumë afër ta kompletojë transferimin e katërt për këtë afat kalimtar, derisa në skuadër ka transferuar Aaron Ramseyn, Adrien Rabiotin dhe Gianluigi Buffonin.
Mbrojtësi i Genoas, Cristian Romero, thuhet se do të fluturojë në javën e ardhshme për te Zonja e Vjetër, që t’i kompletojë testet mjekësore. Sipas Sky Sport Italia, testet mjekësore për mbrojtësin 21-vjeçar janë rezervuar për ditën e martë të javës së ardhshme.
Ai nuk ka qenë sot (7 korrik) në sesionin stërvitor të Genoas dhe nuk do të udhëtojë me skuadrën për ndeshjen parasezonale në Austri.
Mediumi italian bën të ditur se Bianconerët do të paguajnë 15-20 milionë euro për shërbimet e Romeros, por ai nuk do të qëndrojë edhe për shumë gjatë në Allianz Stadium.
Mbrojtësi i talentuar do të huazohet te ndonjë skuadër nga Serie A që të fitojë më shumë eksperiencë, e që Genoa është favorite për ta mbajtur në skuadër, derisa destinacion i mundshëm është edhe Atalanta. /Telegrafi/