Rreth 7 mijë teste të reja që shërbejnë për të testuar pacientët që dyshohen se janë infektuar me coronavirus (COVID-19), pritet të arrijnë në Kosovë këtë javë.
Kështu ka bërë të ditur, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë një konferencë për medie javën e kaluar.
Vitia ka thënë se në stokun e mikrobiologjisë molekulare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë janë rreth 1 mijë teste, ndërsa kanë porositur me urgjencë edhe 7 mijë të tjera.
Por, sipas ministrit ata do të vazhdojnë të bëjnë të tjera porosi edhe pas këtyre që do të vijnë.
“Janë edhe rreth 1 mijë teste në stokun e mikrobiologjisë molekulare në IKSHP, dhe pardje me urgjencë janë porositur edhe 7 mijë të tjera që priten të vijnë javën që vjen, por ndërkohë janë është përgatitur kërkesa edhe për teste shtesë pas këtyre. Kemi siguruar edhe një aparat për realizimin real-time PSR testeve”, tha Vitia në konferencën për medie të mbajtur më 19 mars.
Vitia ka njoftuar se tashmë janë dy barëra të cilët kanë dhënë një efekt të mirë gjatë trajtimit, dhe në lidhje me sigurimin e këtyre barërave, kanë kontaktuar tashmë kompanitë prodhuese të këtyre barërave, dhe Ambasadën e Japonisë, me shpresën së shumë shpejt do të marrin një kontingjent të këtyre barërave.
“Si sëmundje e re nuk ka ndonjë protokoll të trajtimit antiviral, ne sot kemi marrë informacione se disa nga materialet si Rendecivir dhe Favir-Priravir, janë treguar të suksesshëm në trajtimit e të infektuarve. Menjëherë sot, janë kontaktuar kompanitë prodhuese por edhe ambasada e Japonisë, dhe shpresojmë se një kontingjent do të merret sa më shpejt”, tha Vitia.
Kontakt ka pasur edhe me ambasada të ndryshme me pajisje dhe materiale shtesë.
Në Kosovë është shënuar edhe viktima e parë nga coronavirusi (COVID-19), e numri i të infektuarve ka arritur në 33. /Telegrafi/