Në Klinikën Infektive në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) janë të hospitalizuar 10 pacientë me COVID-19, ndër ta dy janë me oksigjeno-terapi.
Kështu tha përmes një video të publikuar në rrjetin social në Facebook, drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj.
Ai po ashtu foli edhe për dy rastet që ndërruan jetë dy ditë më parë në këtë klinikë nga COVID-19.
“Aktualisht në Klinikën Infektive i kemi të hospitalizuar gjithsej 10 pacientë, dy nga ta janë me oksigjeno-terapi. Dy ditë më parë në Klinikën Infektive dy pacientë kanë përfunduar me vdekje. Njëri në moshën 80 vjeçare i cili ka qëndruar në Klinikën Infektive dy orë ngase ka pasur sëmundje të tjera të rënda kronike. Një pacient tjetër në moshën 67 vjeçare i cili lëngonte nga sëmundje të rëndë kronike që ishte duke u trajtuar më përpara në Klinikën Infektive”, ka thënë Vishaj, përcjell Telegrafi.
Vishaj gjithashtu tregoi se për momentin në Klinikën Infektive kanë mjaftueshëm oksigjeno-terapi, barna si dhe staf mbështetës.
“Mendoj që nuk ka nevojë për ndonjë panik. Jemi duke e përcjellë situatën epidemiologjike dhe varësisht nga situata do të veprojmë konform situatës që na vjen”, ka thënë ndër të tjera Vishaj. /Telegrafi/