Site icon Telegrafi

COVID-19, Izraeli pritet të lehtësojë masat e rrepta të bllokimit – por kufijtë vazhdojnë të mbesin të mbyllur

Izraeli ka njoftuar se do të lehtësojë masat e bllokimit por do të mbajë të mbyllur aeroportin dhe kufijtë e tij tokësorë pas një rënie të lehtë të përhapjes së rasteve me coronavirus.

“Qeveria ka pranuar një propozim nga kryeministri dhe ministri i shëndetësisë për të lehtësuar masat e bllokimit nga ora 7 e mëngjesit të dielën”, është thënë në një deklaratë të përbashkët, përcjell Telegrafi.

Nën këto masa të lehtësimit, izraelitët nuk do të kufizohen më brenda 1 km nga shtëpitë e tyre dhe shërbimet e tilla si parukeri dhe sallonet e bukurisë do të lejohen të veprojnë dhe do të bëhet hapja edhe e parqeve kombëtare.

Pavarësisht nga ajo se ka pasur atë që është quajtur fushata më e shpejtë e vaksinimit në botë për frymë, Izraeli ende ka regjistruar një mesatare ditore prej 6,500 rastesh të reja me COVID-19, nga rreth 7,000 javën e kaluar, tregojnë shifrat zyrtare.

Një bllokim i rreptë mbarëkombëtar në fuqi që nga 27 dhjetori është zgjatur katër herë për të luftuar shkallën e infeksionit, por janari ishte muaji më vdekjeprurës me më shumë se 1.000 viktima nga coronavirusi.

Sipas shifrave të fundit nga ministria e shëndetësisë, Izraeli ka regjistruar gjithsej më shumë se 675,000 raste me COVID-19, përfshirë 5,019 vdekje.

Hotelet mbeten të mbyllura dhe restorantet do të lejohen të kujdesen vetëm për “merr me vete”, ndërsa aeroporti Ben Gurion i Tel Avivit, ku fluturimet ndërkombëtare janë pezulluar që nga 24 janari, dhe kufijtë do të qëndrojnë të mbyllur. /Telegrafi/

Exit mobile version