Philippe Coutinho ka zbuluar se ka marrë një mesazh mbështetjeje nga menaxheri i Liverpoolit, Jurgen Klopp pas transferimit të tij në Bayern Munich këtë verë.
Reprezentuesi brazilian ishte i lidhur shumë me një rikthim në Ligën Premier dhe raportet kanë pretenduar se mesfushori preferonte të kthehej te Liverpooli.
Por, Coutinho përfundoi si i huazuar te Bayerni, me kampionët gjermanë që kanë mundësinë ta blejnë atë nga Barcelona për 120 milionë euro.
Klopp ishte i kënaqur kur pa që ish-lojtari i tij u transferua në Bundesliga dhe Coutinho ka zbuluar mesazhin që mori nga ai.
‘Ai më dërgoi një mesazh dhe më uroi fat”, ka thënë fillimisht Coutinho për SportBild.
“Ai tha se Bayerni është një klub i madh dhe Bundesliga një ligë e shkëlqyeshme dhe se ai është shumë i lumtur që më sheh aty”.
“Klopp është thjesht një trajner i shkëlqyer, një nga më të mirët në botë, një udhëheqës i vërtetë”.
“Kam mësuar shumë nga ai, veçanërisht në nivel mendor. Ai gjithmonë gjen fjalët e duhura, si para lojës ashtu edhe gjatë lojës, dhe gjithmonë arrin të të rikthejë në rrugën e duhur”.
“Ai e ndryshoi Liverpoolin dhe i bëri përsëri të fortë. Ishte një nder i madh të punoja me të”, përfundoi braziliani. /Telegrafi/