Philippe Coutinho beson se mirëkuptimi i tij me shokët e tij të Barcelonës është duke u përmirësuar në çdo lojë, teksa Lionel Messin e ka cilësuar si të mrekullueshëm.
Coutinho u bashkua në festivalin e golave së bashku me Messin, Luis Suarezin dhe Ousmane Dembelen në fitoren e thellë 6-1 ndaj Gironas në La Liga të shtunën mbrëma.
Përveç golit, ylli brazilian bëri një paraqitje superiore duke arritur edhe të asistoj tek njëri gol i Suarezit dhe ky mirëkuptim me shokët e skuadrës e gëzon Coutinhon.
“Ishte një ndeshje e rëndësishme dhe duhej të fitonim, kështu që ne do të vazhdojmë të fitojmë pikë”, ka thënë fillimisht Coutinho për Movistar Partidazo.
“Ne kemi merituar të fitojmë dhe largohemi shumë të lumtur për këtë arsye”.
“Messi? Leo është një djalë i mrekullueshëm. Ai mashtroi të gjithë me golin e tij [goditja e lirë nën mur]. Është e pabesueshme sa i mirë është ai”.
“Mirëkuptimi ynë po përmirësohet në çdo lojë me Messin ashtu edhe me Suarezin. Ai është shumë i rëndësishëm për ne”.
“Po mësoj gradualisht dhe duhet të vazhdoj të punoj shumë”, përfundoi ylli brazilian, i cili u transferua gjatë janarit për një total të raportuar prej 160 milionë eurosh. /Telegrafi/