Telegrafi

Courteney Cox shikon “Friends” në vetizolim: Nuk më kujtohet që kam qenë pjesë e këtij seriali

Courteney Cox, Jennifer Aniston dhe Lisa Kudrow (Foto: Gregg DeGuire/Getty Images for SAG-AFTRA Foundation/Guliver)

Aktorja Courteney Cox ka gjetur me çfarë të merret në kohën e vetizolimit si pasojë e pandemisë së coronavirusit.

Ylli amerikan ka vendosur t’i shikojë një pas një të gjitha episodet e hit serialit komik, “Friends”, në të cilin ka luajtur vet – transmeton BBC.

Ndërkaq, gjatë një bashkëbisedimi me prezantuesin Jimmy Kimmel, ajo ka thënë se vështirë i kujtohen momentet e xhirimeve të serialit ku ka qenë për një dekadë.

“Njerëzit aq shumë e duan këtë serial, saqë vendosa ta shikoj në mënyrë maratonike serialin “Friends”… Është vërtet i mirë!”.

“Nuk më kujtohet as që kam qenë në serial, kam kujtesë të dobët. E di që i kam dashur të gjithë ata që kanë qenë aty dhe se jemi kënaqur, dhe mbaj mend momente të caktuara të jetës sime derisa isha atje, por nuk i mbaj mend episodet”, ka thënë Cox.

Lexo po ashtu Shtyhen edhe xhirimet e “Friends” për shkak të coronavirusit

Seriali i suksesshëm komik ka pasur 236 episode, ndërsa filloi të pëlqehej edhe nga gjeneratat e reja kur u transmetua në Netflix, prandaj është paraparë të xhirohet një episod special pas përfundimit të pandemisë. /Telegrafi/