Site icon Telegrafi

Countryman: Lufta në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme nuk do ta largojë vëmendjen nga siuata mes Kosovës dhe Serbisë

Ish-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Thomas Countryman, thotë se duhet të bëhet një hetim objektiv në lidhje me ngjarjet në Banjskë për shkak të qëndrimeve krejtësisht të ndryshme të Kosovës dhe Serbisë.

Countryman thotë se ai hetim duhet të udhëhiqet nga EULEX-i.

“Prishtina dhe Beogradi kanë narrativ krejtësisht të kundërta për atë që ndodhi atje. Kjo është arsyeja pse një hetim i pavarur është i rëndësishëm dhe për mendimin tim ai duhet të udhëhiqet nga EULEX-i me bashkëpunimin e plotë të Beogradit dhe Prishtinës, duke përfshirë që EULEX-i duhet të marrë në pyetje Radoiçiqin për rolin e tij. Është hapi i duhur kur ka dhunë, kur njerëzit kanë sasi të madhe armësh përreth. Prandaj duhet një hetim dhe pastaj pas hetimit nëse është e nevojshme të ngrihet aktakuzë. Gjithashtu, pjesëmarrësit e asaj ngjarjeje nuk duhej të quheshin menjëherë heronj. Kështu duhet të jetë në çdo komunitet modern”, tha ai.

Diplomati amerikan, duke folur për Zërin e Amerikës (edicioni në gjuhën Serbe) thekson se problemi aktual në atë proces është se të dyja palët nuk dëgjojnë njëra-tjetrën.

“Vuçiq dhe Kurti nuk duan të flasin me njëri-tjetrin, nuk duan të shtrëngojnë duart”, thotë Countryman, përcjell Telegrafi.

I pyetur për të komentuar deklaratën e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, se është e nevojshme të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, dhe se në anën tjetër nevojitet pjesëmarrja ndërkombëtare e Kosovës, Countryman thekson se të dyja gjërat janë të rëndësishme.

Siç kujton ai, formimi i Asociacionit është një obligim që Prishtina e mori 10 vjet më parë, kur u arrit një marrëveshje, për të cilën ai thotë se ishte një moment optimizmi.

“Nuk është e lehtë për Kosovën ta përmbushë atë premtim, por duhet bërë. Ka gjithashtu hapa që duhet të ndërmarrë Beogradi. Por kjo nuk mund të shihet gjithmonë si një transaksion, unë nuk do të bëj një lëvizje derisa ta bëni ju së pari. Të jesh lider do të thotë të punosh në interesin më të mirë të vendit tënd dhe nuk e shoh llojin e lidershipit që na duhet për të ecur përpara”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ai thekson se është koha që të diskutohen çështjet reale në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Komuniteti ndërkombëtar ka qenë konsistent në nxjerrjen në pah të rrugës së negociatave që duhet ndjekur, këto janë hapat e radhës që presim nga dy qeveritë. Dhe qëllimi është anëtarësimi në BE për dy shtetet moderne multietnike të Serbisë dhe Kosovës. Dhe kjo është tabloja më e gjerë e kësaj marrëdhënieje”, thotë Countryman.

Së fundi, sipas Countrymen, edhe pse lufta në Ukrainë dhe së fundmi në Lindjen e Mesme kanë pushtuar vëmendjen e botës, kjo nuk do të thotë se situata mes Kosovës dhe Serbisë do të injorohet.

Sipas tij, edhe pse Rusia do të donte të largonte vëmendjen e botës nga Ukraina, ajo nuk do të ketë sukses.

“Nuk mendoj se është në interesin e Beogradit dhe Prishtinës që të krijojnë dhunë dhe tensione shtesë në Kosovë. Tashmë nuk ka arsye për dhunë në Kosovë. Është në interesin më të mirë të të dy vendeve që politikanët të ulin tonet e retorikës së tyre”, përfundon Countryman. /Telegrafi/

Exit mobile version