Sipas një hulumtimi të kryer së fundmi në Britani të Madhe, coronavirusi ka shkaktuar tri herë më shumë raste të vdekjeve sesa gripi sezonal dhe pneumonia dhe inflamacioni i mushkërive, shkruan Sky News.
Të dhënat e Zyrës së Statistikave Kombëtare të Britanisë së Madhe (ONS), tregojnë se nga janari deri në gusht – në Angli dhe Wales janë shënuar 13.619 viktima për shkak të inflamacionit të mushkërive dhe 394 tjerë nga gripi sezonal, transmeton Telegrafi.
Në anën tjetër, nga marsi i këtij viti nga COVID-19 kanë humbur jetën më shumë se 48 mijë qytetarë të Britanisë së Madhe.
“Nga viti 1959 kur ONS filloi me evidentimin e rasteve të vdekjes – e deri më sot, numri i viktimave nga gripi dhe inflamacioni i mushkërive në tetë muajt e parë ka qenë më i vogël sesa nga COVID-19”, ka deklaruar Sarah Caul që kryen analizat e rasteve të vdekjeve pranë ONS-së.
Në shtëpitë e pleqve që në veçanti janë goditur nga pandemia, rasti i vdekjeve nga COVID ka qenë pothuajse dy herë më i madh krahasuar me numrin e vdekjeve nga gripi dhe inflamacioni i mushkërive. /Telegrafi/