Site icon Telegrafi

Coronavirusi arrin edhe në Malin e Zi, konfimon dy rastet e para

Mali i Zi raporton për dy rastet e para me coronavirusin e ri. Lajmin e ka konfirmuar kryeministri, Dushko Markoviq.

Sipas autoriteteve malazeze një grua e lindur në vitin 1948 dhe një tjetër e lindur në vitin 1973 janë shtruar në spitalin e Podgoricës dhe janë në gjendje të qëndrueshme.

Njëra është nga Ulqini dhe ishte kthyer nga Shtetet e Bashkuara para 12 ditësh, ndërsa tjetra nga Podgorica dhe ishte kthyer nga Spanja.

Kryeministri malazez Dushko Markoviç, në një konferencë të jashtëzakonshme tha se po merren masat për të penguar zgjerimin e virusit dhe në identifikimin e personave që ishin në kontakt me pacientet.

“Nuk ishte e papritur që të ndodhë në Malin e Zi dhe sigurisht gjatë ditëve në vazhdim do të ketë edhe raste të reja”, tha ai duke bërë thirrje që të shmanget paniku dhe veprimet e pamatura.

Mali i Zi ishte vendi i vetëm në Evropë që deri sot nuk kishte regjistruar asnjë rast të infektimit.

Coronavirusi ka shpërthyer në fund të vitit të kaluar në Kinë.

Në muajt vijues pothuajse gjitha vendet e botës kanë raportuar raste me infeksione.

Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins deri më 17 mars, në gjithë botën janë konfirmuar 185,067 raste me coronaviusin e ri.

Mbi 80,236 të infektuar janë shëruar, ndërkaq të vdekur si pasojë e sëmundjes Covid-19, janë mbi 7,330 persona.

Exit mobile version