Telegrafi

Corbyn akuzon presidentin amerikan për ndërhyrje në zgjedhjet britanike

Udhëheqësi i Partisë Laburiste opozitare, Jeremy Corbyn, e ka akuzuar presidentin amerikan Donald Trump se po përpiqej të ndërhynte në zgjedhjet e përgjithshme të Britanisë së Madhe.

Një reagim i Corbyn, shkruajnë mediat britanike, përcjell Telegrafi, vjen pasi udhëheqësi amerikan tha që Corbyn do të ishte “aq i keq” për Britaninë, nëse ai bëhej kryeministër.

“Trump po përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet në Mbretërinë e Bashkuar për të zgjedhur mikun e tij Boris Johnson,” tha Corbyn në një Tweet pasi Trump bëri komentet në një intervistë me radio LBC të enjten.

Ndryshe, presidenti amerikan Donald Trump sonte i ka bërë thirrje Boris Johnsonit dhe Nigel Farage që të bëjnë një aleancë të përgjithshme zgjedhore pasi presidenti amerikan tha se së bashku të dy udhëheqësit do të ishin ‘të pandalshëm’.

Kjo sipas DailyMail është vlerësuar si një “deklaratë bombë” e presidentit amerikan ndërsa fushata zgjedhore ka filluar. /Telegrafi/