Telegrafi

Copëza të aeroplanit të Prigozhinit janë gjetur dy kilometra larg vendit të rrëzimit

Një nga fragmentet e aeroplanit që u rrëzua në rajonin Tver, me të cilin dyshohet se udhëtonte Yevgeny Prigozhin, ndodhet në hyrje të fshatit Kuzhenkino, i cili është rreth dy kilometra nga vendi i rrëzimit, raporton agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA Novosti.

Policia ka rrethuar vendin ku ndodhen rrënojat, ndërsa aty pranë ndodheshin disa vetura të Shërbimit Sekret, raportoi mbrëmë korrespondenti i RIA Novosti.

Policia gjithashtu ka ndaluar kalimin e veturave dhe merr në pyetje drejtuesit e mjeteve motorike.

Mbrëmë, Ministria ruse e Situatave Emergjente raportoi rrëzimin e një aeroplani privat Embraer Legacy pranë fshatit Kuzhenkino në rajonin Tver.

Lexo po ashtu Prigozhin për herë të fundit iu drejtua opinionit pak ditë më pare, çfarë tha?

Në aeroplan ishin dhjetë persona, përfshirë tre anëtarë të ekuipazhit. Që të gjithë vdiqën, transmeton Telegrafi.

Sipas listës së pasagjerëve të publikuar nga Agjencia Federale ruse e Transportit Ajror, në aeroplan dyshohet se ishte kreu i grupit mercenar rus Wagner, Yevgeny Prigozhin.

Aeroplani i rrëzuar i përkiste kompanisë MNT-Aero LLC, e specializuar në transportin e biznesmenëve të rangut të lartë.

Zëdhënësi i shërbimit emergjent tha për RIA Novosti se trupat e tetë personave u gjetën në vendin e aksidentit. /Telegrafi/