Telegrafi

Conte sqaron situatën e Costas

Diego Costa vazhdon të konsiderohet një futbollist i huaj për Chelsean, jo në aspektin e kombësisë sesa në distancimin e “Bluve të Londrës” ndaj një futbollisti që kontribuoi jo pak për titullin.

Por edhe pse ende nuk ka gjetur klubin e tij të ri dhe me të gjitha gjasat nuk do veshë më fanellën e ekipit londinez, për sulmuesin e lindur në Brazil, trajneri Conte dha shpjegimin e tij.

“Nuk dua të flas për futbollistët që nuk janë këtu, por mund t’ju them që në rastin e Diego Costas, situata ishte e qartë që në muajin janar. Këtë ia bëmë të ditur agjentit të lojtarit dhe vetë protagonistit dhe për mua është çështje e mbyllur”, tha trajneri i Chelsea.

Sulmuesi që mbron ngjyrat e kombëtares spanjolle kërkoi në merkaton e dimrit që të shkonte në Kinë me ekipin e Tianjin, por nuk u lejua dhe kjo krijoi krisjen fatale me Chelsea.

Diego Costa kërkon tani të rikthehet te Atletico Madridit, por marrëveshja është ende pezull për shkak të bllokadës që FIFA i ka imponuar klubit spanjoll.

Një mundësi tjetër është që futbollisti të huazohet në ligat aziatike për të hequr qafe barrën e rëndë financiare te Chelseat, deri në zhbllokimin e merkatos së Atleticos në muajin janar.