Telegrafi

Conte lavdëron Kanten, por ka edhe disa këshilla për të

Antonio Conte ka folur për transferimin e fundit të Chelseat, N’Golo Kante.

Mesfushori francez është kthyer nga pushimi dhe është bashkuar me skuadrën angleze në përgatitjet para-sezonale që po i zhvillon në Amerikë, teksa me të parë karakterin e tij, ka reaguar edhe Conte, i cili e ka lavdëruar dhe këshilluar.

“Në karrierën time kam pasur qëndrueshmëri të madhe dhe kam vrapuar shumë, po ashtu kam shënuar disa gola. Shpresoj që N’Golo mund të përmirësohet në këtë situatë”, deklaroi fillimisht Conte.

Lexo po ashtu Kante zgjedh numrin e ‘mallkuar’ te Chelsea!

“Ndoshta ne jemi të ngjashëm, por unë e di se N’Golo mund të bëhet një mesfushor fantastik dhe ai mund të përmirësohet shumë”.

“Unë kam pasur biseda me të, i shpjegova se çfarë pres në fushë dhe se ai është një lojtar i rëndësishëm”.

“Ai mund të bëhet një lojtar i rëndësishëm për Chelsean në mesfushë, në të njëjtën mënyrë si Nemanja Matic, Cesc Fabregas dhe të tjerët. Unë jam i kënaqur që i kemi të gjithë lojtarët dhe nuk kemi mungesa”, përfundoi trajneri italian. /Telegrafi/