Site icon Telegrafi

Conte kërkon falje për gjestin e bërë ndaj drejtorëve të Juventusit: Nuk duhet të kisha reaguar ashtu ndaj provokimeve

Trajneri i Interit, Antonio Conte ka kërkuar falje për gjestin fyes të bërë ndaj drejtorëve të Juventusit.

Conte foli para ndeshjes me Lazion që zhvillohet të dielën, ku fillimisht u ndal tek episodi që bëri bujë javën e shkuar.

“Unë dua të flas vetëm për futbollin gjatë konferencës për shtyp, kështu që do t’i them disa fjalë para se të fillojmë”.

“Unë jam këtu për të kërkuar falje, sepse reagova në mënyrë të gabuar ndaj fyerjeve. Mund të kisha reaguar ndryshe dhe kjo do të ishte më pozitive”, ka thënë fillimisht trajneri italian.

Conte u kap nga kamerat duke ua drejtuar gishtin e mesit drejtuesve të Juventusit në tribuna.

“Më vjen keq dhe do të mësoj nga kjo në të ardhmen. Fyerjet dhe provokimet nuk duhet të jenë justifikim, sepse nuk duhej të isha përgjigjur ashtu”.

“Të gjithë panë atë që ndodhi në stadiumin e Juventusit, kjo është e rëndësishme për mua. Sidoqoftë, ne si trajnerë, lojtarë dhe presidentë kemi për qëllim të japim një shembull dhe prandaj unë duhet të kisha reaguar ndaj fyerjeve dhe provokimeve në një mënyrë tjetër, mbase me bravo ose duartrokitje, për të treguar se mund të dëgjoja atë që thuhej, por do të ishte një përgjigje më pozitive”.

“Duke thënë të gjitha këto, tani duhet të përqendrohemi në lojë. Njerëzit duan të flasin për futboll, jo për thashetheme”, ka thënë Conte. /Telegrafi/

Exit mobile version