Site icon Telegrafi

Conte: Jam me fat që kam lojtarë shumë të mirë dhe të disiplinuar

Romelu Lukaku dhe Antonio Conte (Foto: Tullio M. Puglia/Getty Images/Guliver)

Antonio Conte pret shumë më tepër nga Romelu Lukaku dhe Lautaro Martinez në vazhdën e sezonit, ndërsa është shprehur i kënaqur me qasjen e Interit në këtë fillimsezoni.

Nerazzurrët dominuan në Derby della Madonnina duke e goditur tri herë shtyllën dhe duke fituar me golat e Marcelo Brozovic dhe Romelu Lukaku. Në këtë mënyrë, zikaltrit vazhdojnë të jenë në krye të tabelës me 12 pikë nga katër fitore radhazi.

“Djemtë bënë lojë të mirë të gjitha aspektet… Ishte një fitore e merituar, jam i kënaqur për tifozët tanë, sepse derbi është gjithmonë derbi”.

Lexo po ashtu Interi dominon Milanin dhe triumfon në Derby della Madonnina

“Ai (Lukaku) mund të bëjë më shumë, padyshim. Ia kam thënë këtë. Është 26 vjeçar dhe ka ardhur këtu falë potencialit të tij. Lautaro Martinez është vetëm 22 vjeçar, prandaj duhet t’i ndihmojmë të përmirësohet me punë të përditshme”.

“Kemi një ide si skuadër… Siç them unë, një komandant mund t’i ketë planet e tij, por ka nevojë për këmbët e ushtarëve që të dalin dhe t’i zbatojnë urdhrat, prandaj jam me fat që kam lojtarë shumë të mirë dhe të disiplinuar”, ka deklaruar Conte për DAZN. /Telegrafi/

Exit mobile version