Antonio Conte ka respekt të madh për dy trajnerët, Sir Alex Ferguson dhe Arsene Wenger.
Trajneri i Chelseat është duke përjetuar sukses të madh në fillimet e tij në Ligën Premier, duke kryesuar kampionatin me pesë pikë më shumë se ndjekësi më i afërt.
Ndërsa, mediat angleze kanë shfrytëzuar rastin ta pyesin atë rreth jetëgjatësisë së karrierës së tij si trajner, duke i dhënë si referencë moshën e pensionimit të Fergusonit dhe vitet e Wengerit që është ende aktiv.
Përgjigja e Contes ishte interesante, pasi së pari tha se është vetëm 45-vjeçar dhe karriera e tij sa ka filluar, ndërsa dy trajnerët i quajti përbindësha apo trajner të mëdhenj.
“Ju jeni duke folur për dy përbindësha, dy menaxherë të mëdhenj”, ka thënë fillimisht Conte për mediat angleze, përcjell Telegrafi.
“Sir Alex Ferguson është një shembull i mirë për mua. Kur unë shoh atë, por edhe kur shoh Arsene Wenger, ata janë një shembull i madh për mua”, përfundoi trajneri italian. /Telegrafi/