Antonio Conte ka marrë një gjobë prej 8.000 funtesh (9.060 euro) nga Federata Angleze e Futbollit për shkak të sjelljeve të tij në ndeshjen kundër Swanseas.
Menaxheri i Chelseat u përjashtua nga ndeshja për shkak të veprimeve të tij dhe më pas u dënua edhe me gjobë.
Strategu italian e ka pranuar dënimin dhe ka kërkuar falje për veprimet e tij që patën pasoja.
Mirëpo, duket se ai nuk do ta ketë aspak të lehtë edhe në shtëpi nga Elisabetta Muscarello.
“Gruaja ime është e hidhëruar. Është ditëlindja e saj pas dy ditësh dhe për shkak të kësaj nuk mund t’i blej dhuratë”, ka thënë Conte.
Ndërsa kur është pyetur për një lëndim të lehtë në sy, ai është përgjigjur me shaka: “Syri im? Ah, po, një goditje nga gruaja ime”.
Veprimet e tij në fushë kanë mundur t’i shohin drejtpërdrejt gruaja dhe vajza e italianit, pasi ndodheshin në tribuna.
“Ajo ishte për ta shikuar ndeshjen, prandaj ishte shumë vështirë. Ajo ishte aty me vajzën time. U përpoqa t’i thosha (vajzës) se asgjë nuk ka ndodhur, por ishte e vështirë që ta fshihja situatën dhe ishte e njëjta gjë edhe me nënën e saj”, ka rrëfyer Conte. /Telegrafi/