Site icon Telegrafi

Constantinides nuk e sheh të rëndësishëm takimin kundër Pejës

Kryendeshja e xhiros së XXV në elitën e basketbollit kosovar, do të luhet të dielën në “Karagaçi”, ku Peja e pret Sigal Prishtinën me fillim nga ora 19:30.

Prishtina i ka realizuar katër fitore radhazi ndaj Pejës në pjesën e dytë të edicionit, duke llogaritur këtu të gjitha garat, Superligën, Kupën e Kosovës dhe Ligën Ballkanike.

Peja tri herë i ka mposhtur bardhekaltrit, por kjo ka ndodhur në vitin 2015, më saktësisht në stinorin vjeshtor.

Trajneri i Sigal Prishtinës, Antonis Constantinides tha nuk çon peshë fitorja apo humbja sonte kundër Pejës, megjithatë kërkon fitore.

“Jemi të vetëdijshëm se humbëm apo fituam nuk luan rol për renditjen tabelore. Megjithatë për mua si trajner luan rol dhe unë dua të fitojmë, sepse ne duam të vazhdojmë me serinë pozitive që e kemi nisur në vitin 2016, prej se unë jam në krye të Prishtinës”.

“Po ashtu kemi nevojë për këtë fitore në mënyrë që të motivohemi edhe më shumë para ndeshjes së dytë gjysmëfinale në Ligën Ballkanike, por edhe para garave të Play Off në Superligën e Kosovës. Pra ne shkojmë në Pejë për t’u kthyer me rezultat pozitiv në Prishtinë. Nuk do të jetë lehtë, sepse kundërshtari ka ekip të mirë përkundër mungesave që i kanë në skuadër”, tha Antonis Constantinides, trajner i Sigal Prishtinës.

Exit mobile version