Trajneri i boksit i Conor McGregorit, Phil Sutcliffe e ka krahasuar irlandezin me Muhammad Ali para rimeçit me Dustin Poirierin në kuadër të UFC 257.
The Notorious dhe amerikani do të takohen më 23 janar për rripin e kampionit në peshat e lehta, atë që aktualisht e mbanë i pensionuar Khabib Nurmagomedov.
Sutcliffe ka thënë se ai ka besim të plotë që McGregor do e mposht Poirerin, pasi ka cilësi të shumta si legjenda e boksit, Ali.
“Unë u them shumë boksierëve tanë se si të mësojnë lëvizjet dhe goditjet e kundërshtarit. Ai (Conor) ka atë aftësi”, ka thënë trajneri i boksit i irlandezit.
“Ai është Muhammad Ali i UFC-së. Ka aftësi që të lexojë goditjet e kundërshtari dhe di si t’i evitojë ato”.
“Mund të lëvizë me këmbë dhe me kokë, për të shmangur goditjet dhe e di se kur duhet të godet, për të nokautuar kundërshtarin”, ka shtuar më tej Sutcliffe.
McGregor kishte nokautuar Poirierin qysh në raundin e parë kur ishin takuar për herë të parë në vitin 2014. /Telegrafi/