Site icon Telegrafi

Conor Gallagher i shokuar se si Manchester City e lejoi Raheem Sterlingun që t’i bashkohet Chelseat

Conor Gallagher është i befasuar që Manchester City ka lënë të largohet Raheem Sterling.

Lojtari 27 vjeçar ka nënshkruar për Chelsean nga City në një lëvizje prej 60 milionë euro në një marrëveshje pesëvjeçare me opsionin e 12 muajve shtesë.

Gallagher është i habitur – por i kënaqur që bashkëlojtari te Anglia, Raheem Sterling i është bashkuar atij te skuadra londineze.

Sulmuesi u nis për në kampin para-sezonal të Bluve në Los Anxhelos të mërkurën dhe u bashkua me mesfushorin dhe pjesën tjetër të shokëve të tij të rinj.

Talenti 22 vjeçar u mahnit nga puna e Sterlingut brenda dhe jashtë fushës kur ai bëri debutimin e tij për skuadrën e parë të Anglisë në fillim të këtij viti në miqësoret kundër Zvicrës dhe Bregut të Fildishtë.

“Është një lëvizje e shkëlqyer për të dhe Chelsean dhe do të përfitojë nga ai, po ashtu edhe ne”, ka deklaruar Gallagher.

“Është një nënshkrim masiv. Përvoja që ai ka në Ligën Premier është shumë e rëndësishme për Chelsean”.

Lexo po ashtu Krahasohen statistikat e Sterlingut me ato të Hazardit: Cili është më i mirë?

“Ai është një lojtar më i mirë në sulm, shënon gola, jep asistime. Jashtë fushës ai është shumë profesionist dhe ndihem sikur i ndihmon lojtarët më të rinj, gjë që është mirë”.

Dhe kur u pyet se sa i tronditur ishte që City i shiti një lojtar yll një rivali, Gallagher shtoi: “Natyrisht se jam i befasuar”.

“Ndjej se një lojtar si ai ndoshta nuk ishte shumë i kënaqur që nuk luajti çdo ndeshje në City, ku padyshim që ata kanë shumë lojtarë të klasit botëror”.

I pyetur se çfarë lloj lideri është Sterling në dhomën e zhveshjes së Tre Luanëve të Gareth Southgate, mesfushori i talentuar potencoi më tej: “Është e natyrshme të shndërrohesh në një lider me gjithë përvojën dhe këshillat”.

“Në Angli ai flet me mua dhe me djemtë më të rinj. Ai është i madh. Ai më bëri të ndihem i mirëpritur”.

“Në fushë, ku është më e rëndësishmja, jam i sigurt se ai do të bëjë gjënë e tij”, ka vazhduar më tej Gallagher. /Telegrafi/

Exit mobile version