Telegrafi

“Conectifai” apo revolucioni digjital në Havanë: Takimet e reja në parkun e WiFi-së! (Video)

Në vitin 2016, Etecsa – e vetmja kompani telefonike në Kubë – instaloi ruterët e internetit pa kabllo (WiFi) në 18 parqe publike në të gjithë vendin. Për shumë kubanë, kjo nënkuptonte se do të jenë në gjendje të “lundrojnë” për herë të parë… në internet!

Parku i WiFi-së në Havanë është shndërruar në një lloj takimi të ri: çdo ditë turmat e njerëzve me telefona të zgjuar, me tabletë dhe karrige grumbullohen rreth antenave të WiFi-së, duke bërtitur “conectifai” – që do të thotë “lidhje”.

Në të njëjtën kohë, një lloj i tregtisë kubane po lulëzon, me ata që shesin kartat e internetit, pije dhe ushqime, e që bërtasin sloganet si “Derri i pjekur me WiFi”! Këtu secili ka një mundësi për të kontaktuar të dashurit, për të eksploruar mediat sociale, për të ngarkuar fotografitë dhe për të kërkuar takime në internet – aktivitete shumë normale, por që dëshmojnë një Kubë që po ndryshon me shpejtësi

Përdoruesit e WiFi-së në park ndihmojnë njëri-tjetrin në internet, ndërsa bredhin në kërkim të valëve ë të forta para se të ndalen para ekraneve. Gjatë ditës zakonisht dalin zonjat më të vjetra, por në mbrëmje ka më shumë grupe të rinjsh që internetin e përdorin për flirt.

Dokumentari është realizuar nga regjisorja Zoe Garcia në kuadër të Shkollës së Filmit dhe TV-së në Havanë dhe programit për realizimin e filmave për tranzicionin në Kubë. Fokusi i regjisores ishte te ndryshimet në jetën e përditshme e jo ato politike. Mbështetës i këtij realizimi ishte edhe Programi i Filmave Dokumentar i Institutit Sundance. /Telegrafi/