Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, ka thënë se vendimi për shtyrje të votimit për heqjen e vizave për Kosovën ka qenë i pritshëm, për shkak të mos votimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
“Ky është një lajm jo i mirë, pasi është pritur që së paku në dy komisione të votohet për liberalizimin e vizave – edhe pse ka qenë e paraparë që kjo të votohet në shtator. Deklaratat e Tanjo Fajonit duhet të merren si një alarm i fundit që marrëveshja kufitare me Malin e Zi duhet të kryhet patjetë,r nëse qytetarët Kosovës dëshirojnë të lëvizin pa viza. Ky është një kriter eksplicit i qartë”, ka thënë ai.
Ai ka deklaruar se shtyrja nuk reflektohet përgjatë gjithë procesit, porse është i domosdoshëm finalizimi i të gjitha kritereve të vëna nga Bashkimi Europian.
“Në aspektin kohor kjo nuk paraqet ndonjë shtyrje, pasi vendimi përfundimtar për vizat është pritur të merret në shtator e jo në korrik. Bashkimi Evropian nuk diskuton më kriteret që i vë. Për të përshpejtuar vendimmarrjen në Bashkimin Evropian, në Komisionin Evropian, duhet që ta përmbushim kushtin për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi. Për ta qartësuar këtë çështje: Parlamenti i Kosovës të paktën duhet ta mbajë një seancë, të mos votohet menjëherë, por të vijnë ekspertët të ballafaqohen faktet”, ka thënë Çollaku në Info Magazine të Klan Kosovës.
Ai ka kërkuar nga politikanët e vendit që të mos e mbajnë peng “lirinë e qarkullimit të qytetarëve, pasi nuk ka kompromis për çështjet të cilat kërkohen nga Unioni”.
“Nuk besoj që Komisioni Europian dhe vendet anëtarë do të bëjnë kompromis në këtë çështje”, shtoi ai.