Site icon Telegrafi

Çollaku: KE muajt në vijim jep rekomandimin për liberalizim të vizave

Komisioni Evropian tashmë ka njoftuar vendet anëtare të BE-së se Kosova teknikisht ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave.

Kështu bëri të ditur ministri i Integrimit Evropian Bekim Çollaku pas kthimit nga vizita zyrtare në Starazbourg.

Ai tha se në një të ardhme të afërt priten lajme të mira sa I përket rekomandimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ministri i Integrimit Evropian Bekim Çollaku, në një bisedë për Radio Kosovën tha se përmbushja e agjendës evropiane ishte në fokus të takimeve që ka zhvilluar në Starzbourg të Francës. Në këtë kuadër ai tha se u vlerësua fillimi i zbatimit të MSA, por edhe përmbushja e kritereve për liberalizim të vizave. Ministri Çollaku bëri të ditur se Komisioni Evropian i ka informuar shtetet anëtare të BE-së për të arriturat e Kosovës në këtë drejtim, dhe në muajt në vijim pritet edhe rekomandimi për heqjen e vizave.

“Nuk mund të flasim afate strikte apo data në këtë aspekt, sepse jemi duke folur për një proces dhe procesi si i tillë nuk ka afate srtikte kohore, mirëpo Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe vete komisioni evropian, i cili tashme ka informuar shtetet anëtare se Kosova teknikisht i ka përmbyllur dhe i ka përmbushur kriteret e parapara atëherë jam optimist se një gjë e tillë nuk do të vonojë shumë, pra mund të kemi lajme pozitive gjatë javëve apo muajve në vazhdim”, ka thënë ai.

Çollaku po ashtu ka hedhur poshtë deklarimet se Kosovës i ka mbetur edhe dy kritere të papërmbushura.

“Askush zyrtarisht nuk ka thënë që Kosova nuk i ka përmbushur kriteret. Unë flas vetëm në aspektin zyrtarë dhe jo të spekulimeve që mund të vijnë nga gazetarë të ndryshëm. Komisioni Evropian në mënyrë specifike ka thënë dhe ka informuar shtetet anëtare të BE-së  që Kosova teknikisht i ka përmbushur të gjitha kriteret e parapara me udhërrëfyes, kështu që nuk bëhet fjalë as për një as për dy kritere”, ka thënë ai.

Ministri Çollaku është takuar me komisionarin për zgjerim Johanes Hahn dhe me nënkryetaren e Parlamentit Evropian, njëherit raportuesen për Kosovë në PE  Ulrike Llunacek.

 

Exit mobile version