Site icon Telegrafi

Coinbase mbyll llogaritë e Wikileaks

Bursa e njohur kriptografike Coinbase raportohet se ka mbyllur një llogari të hapur nga Wikileaks për dyqanin e saj online duke cituar shkelje të politikave të përdorimit të shërbimit.

Wikileaks Shop është hapësira ku shet këmisha, këllëfë telefoni, postera dhe sende të tjera personale me markën e Wikileaks.

Bursa thuhet se ka mbyllur llogarinë e kësaj organizate të cilën e përdorte për dyqanin që do të thotë se kompania nuk mund të marrë pagesa përmes Coinbase dhe më pas ti konvertojë ato në dollarë.

Lajmin e dha vetë Wikileaks edhe përmes rrjetit social Twitter.

Coinbase thotë se mbyllja e shërbimit për subjekte të caktuar është konform rregullave të Rrjetit për Krimet Financiare pranë Thesarit amerikan i krijuar për të luftuar pastrimin e parave.

Megjithatë sajti mund të vazhdojë ende të pranojë pagesa përmes monedhave kriptografike, por jo duke përdorur sistemin e Coinbase.

Lëvizja ka acaruar organizatën dhe mbështetësit e saj. Në Twitter llogari kryesore e Wikileaks kërkoi bojkotimin e bursës javën e ardhshme.

Një skenar i ngjashëm ndodhi në 2010-ën kur Wikileaks publikoi sekrete shtetërore lidhur me luftën në Irak dhe Afganistan.

PayPal menjëherë ndërpreu shërbimin e pagesave për sajtin. Dhe pak ditë më pas reagimi erdhi ku PayPal u godit nga sulme DDoS dhe bojkot disa ditorë derisa u detyrua të rikthejë shërbimin për Wikileaks. /Telegrafi/

Exit mobile version