Site icon Telegrafi

“Coca Cola” importohet vetëm nga Serbia, nuk lejohet nga Shqipëria

Ndonëse Coca Cola është duke u konsumuar, prodhimet e kësaj kompanie vazhdojnë të jenë të pranishme duke u prodhuar në Serbi dhe importuar në Kosovë nga Serbia. Hiper-marketi “Plus market” nga Ferizaj vazhdon me bojkotimin e produkteve nga Serbia, ne mesin e të cilave është edhe “Coca Cola”, dhe pas ndalimit të importimit nga Shqipëria tani është duke e marrë Coca Cola-n të prodhuar në Itali.

Nga Hiper marketi “Plus market” thonë se nuk po u lejohet të fusin në Kosovë “Coca Cola” nga Shqipëria. Edhe hiper-marketi “Nertil” nga Gjakova ka vite që është i njohur në opinion dhe më gjerë si bojkotues i produkteve serbe, por së fundi kjo më nuk po ndodh.

Në raftet e “Nertil”, KosovaPress-i ka hasur në produktet e pijeve “Coca Cola” ku shënon se prejardhja është nga Serbia, edhe pse menaxherë të këtij hiper-marketi prapa kamerës i thanë “KosovaPress-it” se në “Nertil” nuk gjendet asnjë produkt nga Serbia, bile as produkti i pijeve “Coca cola”.

Përfaqësues të “Coca-Cola Hellenic” në Kosovë theksuan se kjo pije nuk prodhohet në Kosovë . Sipas tyre vendimi për prodhimin në Kosovë varet nga kombinimi i faktorëve të shumtë makro-ekonomikë, nga madhësia e tregut deri tek infrastruktura dhe organizimi administrativ.

Ata nuk dhanë ndonjë sqarim pse “Coca Cola” mbushet në Shqipëri, Serbi, Maqedoni dhe nuk mbushet në Kosovë siç është bërë me herët, duke e marrë parasysh se Kosova dhe Maqedonia kanë numër të përafërt të banorëve.

Nga ana tjetër është hiper marketi “Plus market” nga Ferizaj ai i cili vazhdon t’i bojkotojë produktet serbe.

Menaxheri i “Plus market”, në Ferizaj, Remzi Bytyqi, thotë për KosovaPress, se në marketin e tyre jo vetëm “Coca cola”, por nuk ekziston qe gjashtë vjet asnjë produkt me prejardhje nga Serbia.


“Në marketin tonë jo vetëm “Coca cola”, por nuk ekziston tash e gjashtë vjet asnjë produkt me prejardhje nga Serbia, sepse duke pasur parasysh se çfarë ka bërë ai shtet, nuk ja vlen të punohet me shtetin e Serbisë. Ne kemi vështirësi me “Coca cola”. Punojmë me disa produkte që i zëvendësojnë nga pak produktet e tyre me disa gjëra të prodhimit vendor. Kemi “Coca cola” tash të Italisë e cila është pak me kosto më të shtrenjtë, mirëpo ja dalim dhe kalojmë shumë mirë”, tha menaxheri Bytyqi.

Ai thotë se janë duke insistuar që “Coca cola-n” ta fusin e Shqipëria apo Maqedonisë në tregun e Kosovës. “Kemi insistuar qe dy vjet dhe insistojmë ta fusim “Coca colan” e Shqipërisë apo Maqedonisë në tregun e Kosovës, por në as një mënyrë nuk na lejojnë edhe pse të gjitha dokumentet i kemi bërë gati… çdo certifikatë që është nevojitur, i kemi plotësuar kushtet për me importuar prej Maqedonisë apo Shqipërisë, mirëpo nuk na lejojnë. Shkaqet nuk i di ku ekzistojnë, mirëpo në asnjë mënyrë nuk na lejojnë ta fusim “Coca Colen” prej Shqipërisë”, thekson Bytyqi.

Ai thotë se mbushja e “Coca Coles” ishte bërë në Kosovë. Sipas tij kanë shitur jashtëzakonisht shumë “Coca cola” kur ishte mbushur në Kosovë nga “Fluidi” dhe kanë qenë me standarde shumë të mira. /Telegrafi/

Exit mobile version