Site icon Telegrafi

Çmimi Nobel për Paqe u fitua nga aktivistët e të drejtave të njeriut në Ukrainë, Bjellorusi dhe Rusi

Çmimi Nobel për Paqe u fitua nga grupet e të drejtave në Rusi dhe Ukrainë, së bashku me aktivistin e arrestuar bjellorus.

Avokati bjellorus i të drejtave të njeriut, Ales Bialiatski dhe dy organizata nga Rusia dhe Ukraina – Memorial, gjegjësisht Qendra për Liritë Civile – kanë fituar Çmimin Nobel për Paqen për vitin 2022.

Fituesit u nderuan për “një përpjekje të jashtëzakonshme për të dokumentuar krimet e luftës, abuzimet e të drejtave të njeriut dhe abuzimin me pushtetin” në vendet e tyre përkatëse, raporton bbc.

“Ata kanë promovuar për shumë vite të drejtën për të kritikuar pushtetin dhe për të mbrojtur të drejtat themelore të qytetarëve”, tha Komiteti Norvegjez i Nobelit.

Fitorja e tyre vjen shtatë muaj pasi Rusia nisi një luftë në shkallë të gjerë kundër Ukrainës, me ndihmën e Bjellorusisë, transmeton Telegrafi.

Memorial në Rusi

Për më shumë se 30 vjet, Memorial punoi për të rikuperuar kujtimin e miliona njerëzve të pafajshëm të ekzekutuar, të burgosur ose të persekutuar në epokën sovjetike.

Puna e saj u kundërshtuar vazhdimisht prej autoriteteve ruse gjersa fillimisht u paralajmërua në vitin 2006 dhe në 2014 ndërsa u shtua në listën e “agjentëve të huaj” – një listë organizatash dhe individësh që qeveria pretendon se marrin fonde nga jashtë.

Një pretekst për mbylljen e grupit ishte dështimi për të larguar disa prej lajmeve në mediat sociale.

Në dhjetor të vitit 2021, Gjykata e Lartë e Rusisë urdhëroi mbylljen e Memorial dhe degëve të saj rajonale sepse kishte shkelur ligjin e agjentëve të huaj të vitit 2012.

Qendra e Ukrainës për Liritë Civile

Qendra e Ukrainës për Liritë Civile (CGS) është një nga fituesit e përbashkët të Çmimit Nobel të Paqes të këtij viti.

CGS është një nga organizatat kryesore të Ukrainës për të drejtat e njeriut. Ajo u themelua në vitin 2007, kur udhëheqësit e organizatave të të drejtave të njeriut nga nëntë vende post-sovjetike vendosën të krijojnë një qendër mbështetjeje për burimet ndërkufitare në Kiev.

Që nga themelimi i saj, CGS ka monitoruar persekutimet politike në Krimenë e pushtuar, ka dokumentuar krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit gjatë luftës në Donbas dhe ka organizuar fushata ndërkombëtare për lirimin e të burgosurve politikë të Kremlinit.

Pas pushtimit rus të Ukrainës në muajin shkurt të vitit 2022, Qendra për Liritë Civile është angazhuar në përpjekjet për të identifikuar dhe dokumentuar krimet e luftës ruse kundër popullsisë civile ukrainase.

Ales Bialiatski – aktivist për të drejtat e njeriut aktualisht në burg

Një nga fituesit e Çmimit Nobel të Paqes të këtij viti është avokati bjellorus i të drejtave të njeriut Ales Bialiatski.

Ai aktualisht po mbahet në paraburgim.

Bialitski, 60 vjeç, është themeluesi i Qendrës së të Drejtave të Njeriut Viasna (Pranverë) të vendit, e cila u krijua në vitin 1996 në përgjigje të një shtypjeje brutale të protestave në rrugë nga udhëheqësi autoritar i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko.

“[Bialitski] i ka kushtuar jetën e tij promovimit të demokracisë dhe zhvillimit paqësor në vendin e tij,” tha komiteti i Çmimit Nobel për Paqen.

Bialitski u arrestua dhe u burgos fillimisht në vitin 2011-14 për akuzat për evazion fiskal që ai gjithmonë i ka mohuar.

Ai u arrestua përsëri në vitin 2020 pas protestave masive për ato që opozita bjelloruse dhe vëzhguesit e pavarur thonë se ishin zgjedhje të manipuluara në Bjellorusi që e mbajtën Lukashenkon në pushtet.

Kryetarja e Komitetit Norvegjez të Nobelit, Berit Reiss-Andersen tha se ai “nuk ishte dorëzuar asnjë centimetër për luftën e tij për të drejtat e njeriut” në Bjellorusi. /Telegrafi/

Exit mobile version