Banorët e kryeqytetit të cilët ngrohen nga Termokosi, e që kanë menduar të ngrohen më lirë me ngrohjen me avull nga Termocentrali “Kosova B” sesa me mazut, mund të dëshpërohen. Ky çmimi i ngrohjes me avull do të jetë i njëjtë, 1 euro për metër katrorë sikurse ka qenë edhe më herët. Por për dallim nga ngrohja me mazut, do të ketë më shumë ngrohje brenda 24 orëve.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se ky projekt do ta përmirësonte cilësinë e ngrohjes në Prishtinë dhe se nga ky projekt, do të kursehet energji elektrike nga 25 deri në 30 për qind, nga konsumi i përgjithshëm në komunën e Prishtinës.
“Më datën 24 nëntor, pas testimeve do të duhej që ta kemi ngrohjen e parë në Prishtinë me koogjenerim. Çmimi i ngrohjes, nuk do të ndryshoj, do të jetë 1 euro për metër katror, mirëpo do të ketë shumë më shumë ngrohje”, ka treguar Ahmeti, në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Sipas tij, ngrohja me avull është projekt jetik për Prishtinën. “Mendoj se ky projekt është jetik për Prishtinën dhe është ndër projektet më të qëlluara në vitet e fundit, duke shpresuar se do të funksionoj, sepse janë bërë të gjitha analizat”, tha Ahmeti. /Telegrafi/