Telegrafi

Çmimi i eliminimit të dikujt është midis 130 dhe 8,000 euro – si po lulëzon “tregu i zi” i atentatorëve në Afrikën e Jugut

Çmimi i eliminimit të dikujt në Afrikën e Jugut është midis 130 dhe 8000 euro. Çfarë e bën dallimin? Natyra e objektivit dhe “kualifikimet” e vrasësit.

Kiernan Forbes, 35 vjeç, një yll i repit të Afrikës së Jugut, u vra në mes të shkurtit në një trotuar jashtë një restoranti në Durban teksa po dilte nga një darkë me miqtë.

Rasti tronditi vendin, i cili është mësuar me dhunën pothuajse rutinë dhe një ceremoni në kujtim të tij u transmetua drejtpërdrejt në televizion.

Krimi është një dukuri e përditshme në Afrikën e Jugut. Sipas statistikave të fundit të policisë, çdo ditë kryhen 82 vrasje dhe rrallë zbardhen hetimet. Vendi ka një reputacion si një nga më të rrezikshmit në botë, përcjell Telegrafi.

Dhe për vrasjen e tij, policia thotë se po punohet në disa pista.

Telefonat e sekuestruar kanë dhënë informacion; por ende nuk është bërë asnjë arrestim.

Por gjetjet fillestare të hetuesve që tregojnë për një atentat kanë ringjallur shqetësimin për fenomenin e vrasësve në Afrikën e Jugut.

Për më keq, “pak raste që përfshijnë vrasës me pagesë përfundojnë në gjykatë (…) Dhe nëse ekziston rreziku që të ndodhë, vrasësit me pagesë shpesh eliminohen”, ka thënë Mary de Haas, një akademike e specializuar në dhunën politike në rajonin Zulu.

“Duket mjaft e lehtë për të zhdukur dikë në Afrikën e Jugut”, vlerëson ajo.

Ndonëse policia “vazhdon të arrestojë vrasës me pagesë dhe ata që urdhërojnë vrasjet”, vetëm dy nga dhjetë rastet e vrasjeve (20.74%) janë zgjidhur, sipas raportit të fundit vjetor të policisë. /Telegrafi/