Site icon Telegrafi

Çmimi i Bibliofilisë “Lumo Skendo” shkon për Mitrush Kutelin

Çmimi i Bibliografisë “Lumo Skëndo” për vitin 2017, i cili çdo vit ndahet nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, i ka shkuar këtë vit Shtëpisë botuese “Kuteli” me motivimin: për botim e hijshëm e nostalgjik, ilustruar grafikisht nga mjeshtri Gazmend Leka, të përmbledhjes me rrëfenja “Tregime të moçme shqiptare”, një prej veprave më mbresëlënëse e më të dashura të letërsisë shqipe të çdo moshe, trashëgim monumental nga pena e rrëfimtarit mjeshtëror Mitrush Kuteli.

Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani, i dorëzoi çmimin së bijës së shkrimtarit, Atalanta Paskos, themeluese e Shtëpisë botuese “Kuteli” .

“Në këtë botim janë bashkuar disa vlera, ajo grafike dhe e ilustrimit me rrëfimtarinë dhe tregimet, por edhe përkushtimi dhe puna e palodhur e Elzana Agollit dhe shtypshkronjës “Mali Pleshti”, që solli këtë botim cilësor”, tha Pasko.

Edicioni i vitit 2017 i përmbledhjes “Tregime të moçme shqiptare” nga shtëpia botuese “Kuteli”, është një botim special që përkon edhe me 110-vjetorin e lindjes së shkrimtarit. Këtë vit çmimi i Bibliografisë u përmbyll pas një seri veprimtarish kushtuar figurës dhe personalitetit të kulturës Mid’hat Frashëri, apo “Lumo Skendo”, pseudonimi letrar me të cilin ai u identifikua kulturalisht gjatë gjithë krijimtarisë dhe veprimtarisë së tij letrare e botuese ashtu edhe patriotike, shkencore e diturore.

Exit mobile version