Telegrafi

Çmimet e ilaçeve në Kosovë, sipas dëshirës së farmacistëve

Keqpërdorimet me çmimet e barnave në farmacitë e Kosovës po i kushtojnë shumë xhepit të qytetarëve.

Ata për Radio Kosovën thonë se çmimet e barnave janë të larta në krahasim me të ardhurat që i kanë. Ndërsa nga Oda e Farmacistëve të Kosovës thonë se mungesa e ligjit që rregullon çmimet e barnave, shkakton një kaos të madh në sektorin farmaceutik.

“Në këto dy barnatore që janë të ngjitura me njëra tjetrën, të njëjtin produkt e blej më çmim të ndryshëm e kjo është shumë shqetësuese. Ndërsa në raport me vendet e rajonit çmimet ndryshojnë shumë”, thotë një qytetar për Radio Kosovën.

Lexo po ashtu Miratohet Projektligji për produktet medicinale - çmimi i një bari do të jetë njësoj në çdo barnatore

“Një injeksion qe blihet këtu për trajtimin e një sëmundje në Kosovë kushton 500 euro, ndërsa i njëjti injeksion në Turqi është 70 euro, dikush duhet të shkojë në burg për këtë keqpërdorim. Në krahasim më nivelin e pagave në Kosovë, çmimet e barnave janë shumë të larta”, thotë një tjetër.

Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Zajmi, thotë për Radio Kosovën se mosrregullimi i çmimeve po shkakton një kaos të madh në sektorin farmaceutik dhe më së shumti këtë e vuajnë pacientët që duhet t’i paguajnë barnat shumëfish më shtrenjtë.

Lexo po ashtu Ligji për çmimet tavan për barna përplas deputeten e PDK-së me ministrin Vitia

Zajmi thotë se Kosova është vendi i dytë pas Bjellorusisë, që nuk e ka të rregulluar çmimin e barnave. Ai thekson se ka pasur edhe grupe të interesit që kanë tentuar ta ndalin miratimin e ligjit.

“Natyrisht që ka grupe të interesit që kanë tentuar ta ndalin ligjin, ka pasur edhe farmacistë që kanë tentuar ta ndalin ligjin por ka qenë një numër  i vogël dhe i papërfillshëm. Mirëpo shpresojmë që ky ligj kur të shkojë në parlament, ta gjejë rrugën e duhur deri në aprovim”, thotë Zajmi.