Telegrafi

Cluj e bën opsion primar yllin e Superligës, do ta vëzhgojë nga afër në ndeshjen ndaj Hungarisë

CFR Cluj tashmë po përgatitet për sezonin e ardhshëm, ku tashmë ka vendosur një nga objektivat primar, që është Lumbardh Dellova.

Sipas mediumit rumun, PlaySport, Dellova u ka bërë përshtypje krerëve të Cluj, të cilët duan t’ia sjellin Adrian Mutus në skuadër në këtë verë.

Dellova ka 7 ndeshje me Kosovën, ndërsa Cluj me drejtuesit e tyre do ta shikojë nga afër në ndeshjen mes Hungarisë dhe Kosovës, më 26 mars. Ndeshja miqësore zhvillohet në Budapest në PuskasArena.

Dellova aktualisht është pjesë e Ballkanit, ish-kundërshtari i Cluj në Evropë, klubi nga i cili në Rumani kanë shkuar Ermal Krasniqi  dhe Albion Rrahmani.

Mbrojtësi i njohur ka luajtur më parë për Lirinë, para se të shkonte te Hajduk Splitin në Kroaci, për tu  kthyer sërish në vendin e tij.

Lexo po ashtu Lista e Kosovës për ndeshjet e muajit mars, këta janë pesë yjet e Superligës që u ftuan nga Franco Foda

Në sezonin 2020/2021, ai u huazua në Prishtinë, më pas iu bashkua Ballkanit, me fanellën e të cilit bëri përshtypje.

Dellova ka luajtur edhe për Kosovën U19 dhe U21, ndërsa nga Transfermarkt aktualisht vlerësohet 600 mijë euro.

Mbrojtësi kishte shumë oferta në afatin e dimrit, ku spikati ajo e New York Cityt, të cili ofruan shifra të majme, por që nuk u pranuan nga Ballkani. /Telegrafi/