Simon Mignolet është në prag të largimit nga Liverpool për te Club Brugge në një marrëveshje prej nëntë milionë euro.
Portieri belg ka kaluar gjashtë vjet në Anfield, por është i vendosur të nënshkruajë një marrëveshje pesë-vjeçare me skuadrën nga Jupiler League.
Liverpool do të marrë një shumë fillestare prej shtatë milionë euro, me bonuset prej dy milionë euro të tjerë, varësisht nga paraqitjet që bën portieri.
Portieri 31-vjeçar u paraqit 204 herë në fanellën e The Reds, pas kalimit të tij prej nëntë milionë euro nga Sunderlandi në vitin 2013, por e gjeti veten si numri dy në portë gjatë 18 muajve të fundit.
Ai humbi fillimisht vendin e tij te Loris Karius për gjysmën e dytë të sezonit 2017/18, dhe luajti vetëm dy herë sezonin e kaluar pas ardhjes së Alisson Becker. Të dyja këto paraqitje erdhën në kupat e Anglisë.
Mignolet është paraqitur rregullisht për skuadrën e Jurgen Klopp gjatë ndeshjeve parasezonale, pasi portieri brazilian kishte një pushim shkaku i pjesëmarrjes në Kupën e Amerikës. /Telegrafi/