Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton iu është adresuar të pranishmëve në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, përmes një video-adresimi.
Clinton ka kujtuar vizitën e saj në kampet e refugjatëve në Maqedoni, në 1999-n gjatë luftës në Kosovë.
Ajo ka thënë se gratë nuk janë vetëm viktima te dhunës, por janë agjente të paqes.
“Më kujtohet mirë vizita që kam bërë në kampet e refugjatëve në Maqedoni. Pas kësaj ne bëmë thirrje në NATO që të ndalë këtë spastrim etnik. Si sekretare e Shtetit unë kam përcjell e mbështet progresin që është arritur…Forumet si kjo janë të rëndësishme. Gratë nuk janë vetëm viktima të dhunës dhe pabarazisë, por janë përfaqësuese të paqes. Jam e lumtur që do të punoni me DASH-in për themelimin e qendrës rajonale të ekselencës”, ka thënë Clinton.
Clinton organizimin e këtij forumi e ka cilësuar si vendosmëri për forcim të grave.
“Gratë posaçërisht në Kosovë, kanë luajtur rol tepër të rëndësishëm gjatë gjithë këtyre viteve, jam e lumtur për themelimin e kësaj qendre të ekselencës, demokracitë tona janë më te fuqishme kur gratë përfshihen. Ju tashme keni dy presidente gra në Kosovë. Jam e emocionuar të shoh se si ky forum ka arrite synimet e tij, unë jam e përkushtuar për të qenë pjesë e arritjeve dhe përpjekjeve për fuqizimin e gruas”, ka deklaruar ajo. /Telegrafi/