Një megadonator i demokratëve në SHBA, i tha ish-Sekretarit të Shtetit, Colin Powell se kandidatja aktuale e demokratëve për presidente të SHBA, Hillary Clinton, e urrente presidentin Obama pasi ai e mposhti në garën për kandidim në vitin 2008.
Madje ajo i referohej Obama-s në mënyrë përçmuese si ‘ai burri’.
Kështu thuhet në disa e-maile të publikuara nga media amerikane.
Në e-mailet e siguruara nga media amerikane, financieri Jeffrey Leeds, gjatë komunikimit me Powell, thotë se Clinton tmerrohet nga ideja se mund të humbasë sërish në garën për t’u bërë presidente e SHBA.
“Unë mendoj se Hillary nuk mund ta besojë që nuk do ia dalë. Ky është çmimi që ajo dëshiron me çdo kusht. Ajo ka çdo gjë tjetër”.
Në këto e-maile mësohet se Powell ishte tërbuar me ekipin e Clinton për çështjen e e-maileve.
Ai druhej se ekipi i Clinton po e bënte atë kurban për këtë çështje.
Pikërisht për këtë arsye, ai u kishte ulëritur atyre gjatë një feste.
Powell po ashtu duket se ka dyshime për shëndetin e Clinton.
“Ajo nuk duket mirë. Ajo po punon deri në vdekje”. /mapo.al/