Telegrafi

Cleveland rikthehet te fitorja, shkëlqen Isaiah Thomas (Video)

Finalistët e vitit të kaluar në NBA, Cleveland Cavaliers nuk ishin duke kaluar nëpër një formë të mirë.

Verdh e kuqtë kishin pësuar katër disfata radhazi ndërsa në ndeshjen e pestë u përballen me Orlando Magic ku morën një fitore me vuajtje.

Cavaliers triumfoi me një pikë epërsi 104-103, falë një ndeshje fantastike nga fundori Isaiah Thomas që shënoi edhe dy pikët e fundit.

Thomas shkëlqeu në këtë mbrëmje me 21 pikë, katër kërcime e tri asistime.

Paraqitje të mirë pati edhe LeBron James me 16 pikë gjashtë asistime e pesë kërcime.

Tek mysafirët gjashtë basketbollistë shënuan pikë dyshifrore me Payton dhe Gordon që ishin më efikasit me nga 19 respektivisht 17 por të pamjaftueshme për fitore.

Pas kësaj fitore Cavaliers mbetën në pozitën e tretë në Konferencën Lindore ndërsa Orlando në të fundit.

Fitore të rëndësishme ka shënuar edhe Houston Rockets që kanë mposhtur Minnesota Timberwolves me 18 pikë epërsi 116-98.

Eric Gordon me 30 pikë dhe Clint Capela me 20 të tjera ishin më efikasit tek ‘Raketat’ ndërsa 23 pikët e Jimmy Butler nuk mjaftuan për ‘Ujqërit’ të shkaktojnë befasi. /Telegrafi/

Rezultatet:

Boston Celtics – Philadelphia 76ers 80-89

Cleveland Cavaliers – Orlando Magic 104-103

Houston Rockets – Minnesota Timberwolves 116-98

Portland Trail Blazers – Indiana Pacers 100-86