Telegrafi

Clement Turpin gjyqtar në finalen e Ligës së Kampionëve

(Foto: West Observer)

UEFA ka njoftuar se Clement Turpin do ta ndajë drejtësinë në finale e Ligës së Kampionëve ndërmjet Liverpoolit dhe Real Madridit.

Finalja e garës më të madhe evropiane për klube do të zhvillohet më 28 maj në Stade de France në Saint-Denis.

Do të jetë hera e parë që gjyqtari francez ndan drejtësinë në një finale të Ligës së Kampionëve.

39-vjeçari ka qenë gjyqtar në shtatë ndeshje të kësaj gare këtë sezon duke përfshirë sfidën e parë çerekfinale ndërmjet Chelseat dhe Realit.

(Foto: News in France)

Ai njëherësh ka përvojë në ndarjen e drejtësisë edhe për Liverpoolin këtë edicion, pasi ishte gjyqtar në sfidën e të tetës së finales ndërmjet Redsave dhe RB Leipzig.

Lexo po ashtu Ancelotti bën shaka për përballjen me Liverpoolin në finalen e Ligës së Kampionëve

Turpin ka dëshmuar se nuk heziton të nxjerrë kartonë për të mbajtur disiplinën në fushë. Ai ndau tre kartonë të kuq brenda tetë minutash në ndeshjen grupore ndërmjet Portos dhe Atletico Madridit në dhjetor.

Në finalen e madhe, ai do të asistohet nga bashkëkombësit Nicolas Danos e Cyril Gringore, ndërsa francezi tjetër, Benoit Bastien, është caktuar gjyqtar i katërt.

Roli në dhomën e VAR-it i është caktuar Jerome Brisard (Francë), i cili do ta ndihmohet nga Willy Delajod (Francë) dhe dy italianët Massimiliano Irrati e Filippo Meli. /Telegrafi/