Telegrafi

Çka tha Artan Hajrizi për vëllain e arratisur nga burgu, rasti i vrasjes së policit në Serbi dhe deklaratat

Të enjten në orët e mëngjesit në Loznicë, qytet në perëndim të Serbisë, është vrarë një zyrtar policor dhe një tjetër është plagosur rëndë.

Kështu është njoftuar nga mediat në Serbi, gjersa pas rastit u tha se i dyshuari është një kosovar, saktësisht personi që ka ikur nga burgu, Faton Hajrizi.

Fillimisht u aludua në Artan Hajrizin, vëllain e Fatonit, por më pas doli që i ikuri nga burgu ka përdorur dokumentet false, pasi Artani ndodhej në Gjermani.

E lidhur me rastin ka folur vetë Artan Hajrizi, vëllai i të arratisurit Faton Hajrizi, që dyshohet për rastin.

Lexo po ashtu Profesori i kriminalistikës: Shteti dështoi ta risocializojë Faton Hajrizin

Artani në një bisedë me Telegrafin tregoi se ndodhet në Gjermani. Ai tha se Fatoni ka qëndruar dy ditë tek shtëpia e tij dhe ia ka vjedh dokumentet e tij.

“Mi ka marr dokumentet, ka qenë para dy dite. Dy ditë ka nejt dhe ka ec. Unë jam në Gjermani me tesha të punës, e s’kam bo asgjë. Shkurt mi ka vjedh dokumentet”, ka thënë Artan Hajrizi.

I pyetur se a i ka thënë ndonjë gjë Faton Hajrizi në dy ditë qëndrimi tek Artani, ai tha: “Hiç kurrgjë, s’më intereson”.

Telegrafi bisedën e zhvilloi përmes WhatsApp-it me kamerë, në të cilën ai shihej me rroba të punës dhe në stacion policor.

Ndryshe, siç raportonin mediat në Serbi të enjten në orët e para të mëngjesit të së enjtes në pikëkalimin kufitar në Loznicë të Serbisë pranë kufirit me Bosnje e Hercegovinën, pasi policia ndaloi për kontroll një veturë të markës Mercedes, brenda të cilës gjendeshin dy persona, i dyshuari doli nga vetura dhe shtiu mbi një polic serb, që e qëlloi në gjoks dhe nuk i mbijetoi plagëve, transmeton Telegrafi.

Vrasja e policit serb në Serbi, flet Kurti

Kryeministri i vendit Albin Kurti në një konferencë për media ku prezantoi skemën e re të shtesave për fëmijë u pyet lidhur me rastin në Serbi.

Ai tha se nuk ka informacion shtesë për këtë rast dhe se organet e sigurisë dhe rendit në vend janë duke i grumbulluar informacionet në lidhje me këtë rast.

“Nuk kam diçka shtesë, por organet tona të sigurisë dhe rendit po i grumbullojnë informacionet dhe ju kisha lutur që të përcillni në vazhdim komunikatat e Policisë së Kosovës, MPB-së dhe MPJD-së”, tha Kurti.

Vrasja e policit në Serbi, Vuçiq thotë se po informohet nga Kina

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se është duke e “verifikuar” lajmet jozyrtare që ka marrë nga Kina, që kanë të bëjnë me kërkimin e të dyshuarit për vrasjen e një polici dhe plagosjen e kolegut të tij në afërsi të Loznicës.

Sipas mediave serbe, Vuçiq ka konfirmuar se ka marrë informacion nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB) për arrestimin e të dyshuarit për organizimin e transportit të vrasësit të policit nga Presheva për në Loznicë.

Lexo po ashtu Daçiq thotë se në Bijelinë të Bosnjës u arrestua vozitësi që transportoi të dyshuarin për vrasjen e policit në Serbi

“Tani po i verifikoj disa lajme jozyrtare që kam marrë nga Kina, shpresoj se gjithçka do të jetë mirë”, tha Vuçiq, i pyetur nëse ka ndonjë informacion të ri për vendndodhjen e një shqiptari të Kosovës të dyshuar për krimin afër Loznicës.

Ramadani: Kosova nuk ka përgjegjësi​ në rastin e vrasjes së policit serb, Beogradi po bën propagandë

Serbia po tenton ta shfrytëzojë vrasjen e policit serb për propagandë kundër shtetit të Kosovës dhe njëkohësisht t’iu hakmerret qytetarëve kosovarë.

Kështu thotë ish-kryeinspektorit të AKI-së, Burim Ramadani, duke komentuar vrasjen e policit serb dje në Loznicë të Serbisë.

Ministria e Brendshme e Serbisë ka thënë se lidhur me rastin ka arrestuar dy të dyshuar që kanë transportuar autorin e vrasjes dhe se në vendin e ngjarjes është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga institucionet e Kosovës në emër të Artan Hajrizit – vëllait të Faton Hajrizit, i arratisur nga burgu i Smrekovnicës.

Ish-kryeinspektorit të AKI-së thotë se autoritetet në Beograd po përpiqen ta shfrytëzojnë si propagandë kundër Kosovës dhe të maltretojnë qytetarët e saj që kalojnë drejt perëndimit. Ramadani thotë se vrasja e policit serb nuk ka të bëjë asgjë me Kosovën.

“Prej asaj që dihet deri më tani duket që kemi të bëjmë me një akt kriminal, në të cilin institucionet e Kosovës dhe shteti i Kosovës në raporte bilaterale nuk ka përgjegjësi. Raste të tilla pavarësisht se janë të rënda për familjen e policit të vrarë në Serbi. Absolutisht nuk kanë të bëjë me ndonjë përgjegjësi për shtetin e Kosovës dhe si të tilla ka pasur raste gjithkund nëpër botë të rasteve kriminale”, tha ai.

Ramadani thotë se Serbia po tenton ta politizojë vrasjen e policit serb si akt kriminal.

“Serbia dukshëm që në minutat e parë ka tentuar që ta politizojë këtë akt kriminal, përse është jashtëzakonisht e nevojshme që Kosova ta sqarojë para partnerëve ndërkombëtarë që informatat e deritashme janë që ka të bëjë me akt kriminal jo të organizuar, të shtyrë, të nxitur nga shteti i Kosovës apo nga motive të tjera politike.

Thjesht është një rast në të cilin Serbia tenton ta shfrytëzojë ta ndërtojë një propagandë kundër shtetit të Kosovës dhe njëkohësisht mund edhe të tentojë që t’i hakmerret qytetarëve të Kosovës duke, i maltretuar ata nëpër rrugët e Serbisë, sidomos mërgimtarët, të cilët vijnë në Kosovë dhe shfrytëzojnë rrugët e Serbisë, prandaj është e vlefshme thirrja që mërgimtarët e Kosovës, të shmangin domosdo rrugën nëpër Serbi. Jo vetëm sot por edhe ditët e ardhshme”, u shpreh Ramadani për KP. /Telegrafi/