Telegrafi

Çka shkruan në planin e parë të Netanyahut për Gazën dhe pse autoritetet palestineze e hodhën menjëherë poshtë

Ministria e Jashtme e Autoritetit Palestinez ka dënuar planet e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për Gazën e pasluftës, me arsyen se ato konsiderohen “riokupim zyrtar i Rripit të Gazës dhe vendosje e kontrollit mbi të”.

Në një deklaratë të publikuar në internet, Ministria e Jashtme palestineze ka kritikuar dokumentin e parimeve të paraqitur të udhëheqësit izraelit të prezantuar para kabinetit të sigurisë në lidhje me menaxhimin e Gazës pas luftës.

Plani përfshin vendosjen e “zyrtarëve lokalë” që nuk kanë lidhje me terrorizmin dhe liri të pacaktuar për forcat mbrojtëse izraelite për të vepruar në Gazë, raporton timesofisrael.

Duke kundërshtuar dokumentin, Ministria e Jashtme palestineze e ka quajtur atë si “plan për zgjatjen e gjenocidit dhe përpjekje për të fituar më shumë kohë për të zbatuar planet e zhvendosjes së popullatës”.

Përveç kësaj, ky plan është cilësuar edhe si “manovër e hapur për të përgjuar dhe penguar përpjekjet amerikane dhe ndërkombëtare për ndalimin e luftës, lirimin e të burgosurve, pengjeve dhe zgjidhjen e konfliktit”.

Ndryshe, Ministria e Jashtme palestineze i kërkon SHBA-së dhe vendeve tjera perëndimore që ta njohin Palestinën si një shtet të pavarur dhe ta lejojnë atë që të bëhet pjesë e OKB-së, në mënyrë që t’i jepet fund okupimit, e liria të vendoset në territoret palestineze. /Telegrafi/