Muaji i nëntë sipas kalendarit hënor islamik është muaji i Ramazanit dhe kjo është periudhë e shenjtë për besimtarët e fesë Islame. Pjesa më e rëndësishme e muajit të Ramazanit është agjërimi, që ndihmon për të forcuar disiplinën dhe durimin, si dhe për të rritur ndjenjën e solidaritetit me ata që janë në nevojë.
Gjatë këtij muaji besimtarët myslimanë nuk hanë dhe pinë nga agimi deri në perëndimin e diellit.
E lidhur me rëndësinë e të ushqyerit shëndetshëm gjatë këtij muaji dhe se çfarë duhet të përmbajë shujta e iftarit e çka e syfyrit ka folur nutricistja Urata Rexhepi.
Rexhepi në podcastin “Shëndeti në rend të parë” ka theksuar se kujdes të shtuar duhet t’i kushtohet edhe sasisë së ushqimit në iftar në mënyrë që të mos rëndohet lukthi.
Ajo rekomandoi se iftari duhet të fillojë me një ose dy gota ujë dhe me hurme.
“Mirë është së pari që iftarin me fillu me një, dy gota ujë dhe një ose dy hurme… Hurmat janë të mira me fillu iftarin pasi kanë minerale, makro dhe mikronutrientë…”, tha ajo.
Rëndësi të veçantë gjatë këtij muaji i kushtohet edhe shujtës së syfyrit.
Rexhepi në podcastin “Shëndeti në rend të parë” ka sqaruar lidhur me atë se çka nuk preferohet të konsumohet në syfyr e çka preferohet.
Ajo bëri të ditur se ndonëse është zakon, në syfyr nuk rekomandohet të pihet kafe dhe qaj të zi, por rekomandohet të pihet qaj kamomil, qaj mente e xhenxhefili.
Rexhepi po ashtu theksoi se nuk rekomandohet të konsumohen ushqime të ëmbla.
Ndërkaq, sipas saj, për syfyr preferohet të konsumohen ushqime që na mbajnë të ngopur.
“Preferohet drithëra me jogurt ose qumështi, fruta… Vezë po ashtu, sandviç me vezë e avokado”, tha ajo.
Rexhepi tha se rëndësi duhet t’i kushtohet shumë edhe hidratimit.
Podcasti “Shëndeti në rend të parë” mbështetet nga kompania Muqa Solar. /Telegrafi/