Site icon Telegrafi

Çka ndodh me armatimin dhe mjetet e tjera të sekuestruara në aksionin kundër grupit terrorist?

Qindra armë dhe pajisje përcjellëse u sekuestruan në aksionin kundër grupit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Por, çka parasheh ligji për to?

Sipas Kodit të Procedurës Penale, armët hyjnë në kuadër të pasurisë e cila i nënshtrohet automatikisht konfiskimit, pa marrë parasysh përfundimin e procedurës penale.

Fillimisht, ato duhet t’iu nënshtrohen të gjitha ekzaminimeve të nevojshme forenzike.

Pas përfundimit të procedurës penale, Prokurori i Shtetit mund të kërkojë nga Gjykata që armët të shfrytëzohen nga Policia e Kosovës për nevojat e veta dhe Gjykata mund ta lejojë këtë.

Ndërsa mjetet motorike, paratë, telefonat etj,  që janë sekuestruar, deri në fund të procedurës gjyqësore, do të menaxhohen nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar.

Nëse Gjykata konstaton fajësinë e të pandehurve dhe konfiskon asetet e sekuestruara, me kërkesë të Prokurorit të Shtetit, ajo mund të vendosë që këto asete të shiten, likuidohen apo t’i kalohen Qeverisë së Kosovës për shfrytëzim.

Exit mobile version