Eliminimi në 1/8 e finaleve të Ligës së Kampionëve nga Monaco ka bërë që te Manchester City të mendohet për një revolucion të vërtetë në skuadër.
Sipas mediave britanike, janë një sërë futbollistësh që po përgatiten t’i thonë lamtumirën skuadrës së ‘Citizens’ që si mundësi të vetme për titull duket se kanë FA Cup.
Gjithnjë sipas medieve britanike, trajneri i Manchester City, Pep Guardiola kërkon të ndryshojë rrënjësisht repartin e mbrojtjes si dhe të shtojë elementë të tjerë në mesfushë dhe sulm dhe për realizimin e këtij plani kërkohet të paktën një fond prej 150 milionë funteve.
Një shifër kjo që Manchester City mund ta sigurojë pikërisht nga shitja e lojtarëve të padëshiruar, transmeton Kosovapress.
Në krye të listës së futbollistëve që do të dalin përfundimisht në merkato janë Joe Har, Samir Nasri, Joaquim Mangala dhe Wilfired Bony, të cilët janë dhënë në formë huazimi në skuadra të tjera.
Po kështu po bëjnë gati valixhet edhe Gael Clichy, Bacary Sagna dhe Pablo Zabaleta, të cilët kushtëzohen edhe nga mosha e tyre.
Të tjerë futbollistë si Nolito, Claudio Bravo apo Jesus Navas pritet të qëndrojnë në skuadër, por do të duhet të punojnë shumë për të bindur Guardiola-n për t’i përfshirë plotësisht në planet e tij.
Një tjetër çështje e krijuar te Manchester City është ajo e Kun Agueros që ndjen konkurrencën e Gabriel Jesus. Klubi anglez ka deklaruar se argjentinasi nuk largohet, një deklaratë që ka gjetur edhe konfirmimin e vetë futbollistit.
Por, gjërat mund të ndryshojnë nëse Aguero e sheh veten sërish në stolin e rezervave. Një largim i mundshëm i sulmuesit 28-vjeçar nga Manchester City mund të rezultojë lëvizje e menduar mirë nga drejtuesit e klubit të cilët mund të përfitojnë nga kartoni i tij jo më pak se 50 milionë funteve.