Manchester City është duke përgatitur një ofertë prej 60 milionë funtesh (68 milionë euro) për transferimin e mesfushorit ofensiv të Leicester City, Riyad Mahrez.
Lideri i Ligës Premier e kompletoi transferimin e Aymeric Laporte për 57 milionë funte (65 milionë euro) nga Athletic Bilbao, mirëpo Pep Guardiola dëshiron një zëvendësues për Leroy Sane, i cili do të mungojë se paku gjashtë javë.
City deshi ta transferonte Alexis Sanchezin nga Arsenali në këtë afat kalimtar, mirëpo kiliani vendosi të shkonte te Manchester Unitedi.
Sipas The Sun, shefat e klubit nga Emirates janë angazhuar që ta transferojnë Mahrezin para mbylljes së afatit kalimtar dimëror (31 janar).
Gazeta britanike bën të ditur se City dëshiron ta mbyllë sa më shpejt që është e mundur marrëveshjen dhe ka kërkuar që anësori algjerian të udhëtojë drejt Mançesterit.
Për shërbimet e 26-vjeçarit janë interesuar edhe Arsenali dhe Chelsea, mirëpo nga Leicesteri kanë deklaruar se nuk do ta lejojnë largimin e lojtarit.
Nga ana tjetër, mediat në Francë kanë raportuar se Mahrez ka një klauzolë me klubin aktual, e cila e lejon largimin e tij nëse merr një ofertë të mirë. /Telegrafi/