Manchester Cityt i ka mjaftuar një gol për ta mposhtur Bournemouthin në udhëtimin në stadiumin Dean Court, në ndeshjen e vlefshme për javën e 29-të në Ligën Premier.
Një prej momenteve të rrezikshme në pjesën e parë ishte kur Kevin De Bruyne pasoi te Bernardo Silva, mirëpo ai goditi jashtë portës nga brenda zonës.
Në fund të gjysmës së parë, De Bruyne pësoi një lëndim dhe u detyrua ta lëshonte fushën. Në vend të tij, Pep Guardiola e inkuadroi Riyad Mahrezin.
Ishte pikërisht anësori algjerian, ai që e mposhti portierin Artur Boruc (55′), por falë një angazhimi të David Silvas, i cili e ndërtoi aksionin dhe e dhuroi asistimin.
Në vazhdim të ndeshjes, Raheem Sterling i pati dy shanse të mirë, mirëpo në të dyja rastet intervenoi portieri vendas. Ndërsa me një goditje fantastike, Sergio Aguero e goditi shtyllën.
Me këtë fitore, Manchester City qëndron në krye të tabelës me dy pikë më shumë se Liverpooli (që të dielën e zhvillon derbin lokal kundër Evertonit).
Bournemouthi është i 12-ti në tabelë dhe me 10 fitore, katër barazime dhe 15 humbje, qëndron larg zonës së rrezikut dhe shpreson ta sigurojë qëndrimin në elitën e futbollit anglez.
Në xhiron e ardhshme, City është nikoqir i Watfordit, ndërsa Bournemouthi udhëton te Huddersfield Town./Telegrafi/